Kosova zyrtarisht ka aplikuar të enjten për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dorëzoi aplikimin në Pragë përfaqësuesit të Repubilkës Qeke, vend ky që mban kryesimin e BE-së.
Në ceremoninë zyrtare të organizua, Kurti është pritur fillimisht nga ministri çek për Punë të Jashtme, Jan Lipavsky, e më pas aplikimi i është dorëzuar përfaqësuesit çek të Këshillit të BE-së, Mikulas Bek.
Në konferencën për shtyp pas aktit zyrtar, kryeministri kosovar e kualifikoi 15 dhjetorin si një ditë historike për popullin e Kosovës e të jashtëzakonshme për demokracinë në Evropë.
“Letra që kam sjellë bart shpresat dhe ëndrrat e qytetarëve tanë që kanë punuar me shumë zell për të arritur këtë ditë. Flet për aspiratat tona për t’iu bashkuar BE-së me të cilën ndajmë vlerat dhe idealet e përbashkëta si një proces historik nga projekti politik i paqes dhe prosperitetit. I përgjigjet vizionit të Evropës që është e përgjithshme e plotë dhe në paqe dhe një Evropë që ka të ardhme të ndritur, bashkëpunuese”, u shpreh Kurti, transmeton KOHA.
Ministri çek për Çështje Evropiane, Mikulas Bek, ka vlerësuar se aplikimi i Kosovës për anëtarësim përbën një tjetër prioritet të përmbushur të Presidencës Çeke të BE-së.
“E vlerësojmë dhe çmojmë arritjet e bëra të Republikës së Kosovës deri më tani. Më vjen mirë që duke bërë këtë ne jemi duke plotësuar një nga prioritetet e Presidencës sonë të Këshillit, sepse gjashtë muajt e fundit ne kemi dhënë një vëmendje të jashtëzakonshme çështjeve që kanë të bëjnë me Ballkanin Perëndimor”, është shprehur ai.