Pas më shumë se dhjetë orë bisedime, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, u ka thënë gazetarëve në Ohër se Kosova dhe Serbia janë pajtuar që të fillojnë implementimin e propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes vete.
Pas takimit në Ohër, ai ka thënë se dy shtetet janë dakorduar për t’i respektuar të gjitha pikat dhe se do t’i implementojnë të gjithat.
Ai ka përmendur edhe nenin 7 të shumëpërfolur për çështjen e “Vetëmenaxhimit të komunitetit serb në Kosovë”.
“Për nenin 7 – Kosova është pajtuar që të fillojë menjëherë, dhe kur them menjëherë, them menjëherë, negocimin për të vendosur aranzhimet dhe përgatitje për të siguruar një nivel të mirëfilltë të vetëmenaxhimit të komunitetit serb”, ka thënë Borrell, transmeton KOHA.
Borrell deklaroi se marrëveshja dhe aneksi Kosovë-Serbi “konsiderohen të pranuara në bazë të deklaratës sime”.
Disa minuta para paraqitjes së diplomatit evropian, Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se është arritur “njëfarë marrëveshjeje”.
Duke iu drejtuar gazetarëve, ai tha se nuk ka nënshkruar asgjë, transmeton REL.
“Këto disa pika për të cilat kemi rënë dakord, do të jenë pjesë e kornizës së negociatave për të dyja palët, si për Beogradin, ashtu edhe për Prishtinën. Këshilli Evropian do të marrë një vendim që kjo të bëhet pjesë e vendimit të negociuar”, tha presidenti serb.