Ministrja kosovare e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka njoftuar se të enjten është bërë aplikimi për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Kosova meriton të jetë anëtare e Këshillit të Evropës dhe kjo procedurë që e kemi nisur sot do përfundojë me anëtarësimin e plotë të Kosovës në këshill të Evropës dhe me forcim të të drejtave të qytetarëve të Kosovës dhe qasjes së tyre në instanca evropiane”, ka thënë Gërvalla.
Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës.
Këshilli i Evropës ka 46 shtete anëtare. Për pranim mjafton përkrahja e dy të tretave të tyre, transmeton KOHA.
Në mungesë të Rusisë, e cila më 16 mars të këtij viti është përjashtuar nga ky Këshill, për shkak të nisjes së luftës së paprovokuar në Ukrainë, dy të tretat e shteteve anëtare të kësaj organizate e njohin pavarësinë e Kosovës.