Qeveria e Kosovës ka prezantuar një plan të ri me masa të cilat do të aplikohen deri në largimin përfundimtar të targave që qarkullojnë në vend dhe që nuk mbajnë shënimin e Republikës së Kosovës – RKS.

Nga fillimi i muajit nëntor deri në muajin prill të vitit të ardhshëm planifikohet aplikimi i tri fazave me masa të veçanta.

“Për tri javë, duke filluar nga data 1 nëntor deri më 21 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit. Pastaj, nga 21 nëntori, për dy muaj deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes dhe më pastaj nga 21 janari do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë, më 21 prill nuk mund të ketë sepse nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë mbledhjes së Qeverisë të mbajtur më 28 tetor, transmeton REL.

Kryeminstri i Kosovës, Albin Kurti, tha se qytetarët në veri deri më 31 mars do të mund të përfitojnë lehtësirat tatimore pasi të riregjistrojnë makinat e tyre në RKS. I pyetur se nëse ky vendim nënkupton shtyrje të afatit për targa, ai tha se Kosova nuk e ka shtyrë zbatimin e vendimit, por “ne e kemi përshkallëzuar dhe sekuencuar atë”.

Pas bërjes publike të vendimit të Kosovës, SHBA-ja u shpreh e “zhgënjyer” me mosshtyrjen e afatit për riregjistrim.

“Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat për të bërë një gjë të tillë nga partnerët ndërkombëtarë”, u tha në deklaratën e Departamentit amerikan të Shtetit.

Lexo më shumë këtu

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *