Pas përfundimit të dimrit, Kosova do të mund ta furnizoj me qymyr Maqedoninë e Veriut.
Edhe pse tani në Kosovë problemet me energji elektrike vazhdojnë të jenë ditore, sipas drejtorit të KEK-ut gjërat mund të ndryshojnë pas stinës së dimrit.
“Sigurisht pas pranverës kur kushtet klimatike janë më të volitshme, dhe kërkesa për energji fillon të bie pak, ne jemi duke parë mundësinë që t’i furnizojnë ata me sasi të konsiderueshme të qymyrit, për çka kanë nevojë dhe mungesë në Maqedoni. Kjo besoj se do të jetë një kontratë e volitshme, ne kemi rezerva të mjaftueshme të qymyrit”, ka thënë Nagip Krasniqi, transmeton Gazeta Express.
Krasniqi ka treguar se tani ka “probleme të vogla” në termocentralin ‘Kosova A’ dhe për shkak të njësive që janë mbi pesëdhjetë vite në operim nuk mund të garantoj askush nëse problemet do të vazhdojnë.
“Ne çka mund të sigurojmë është të bëjmë maksimumin e prodhimit me këto njësi që i kemi në njësitë e termocentralit A dhe B1 që i kemi në operim tani, ne po mundohemi edhe të bëjmë shkëmbim të energjisë për këto ditë të festave”, ka thënë ai.