Kosovarët janë optimistë se do të ketë normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, ka treguar një sondazh i kryer nga Insitituti Republikan Ndërkombëtar (IRI).

Gjithashtu, sondazhi ka treguar se kosovarët janë më pak të shqetësuar për korrupsionin sesa në vitet e kaluara.

Të pyetur se kur prisnin që Kosova të normalizonte marrëdhëniet me Serbinë, 55 për qind e të anketuarve thanë se brenda pesë vjetëve të ardhshëm. Pavarësisht nga ky këndvështrim optimist, 79 për qind e kosovarëve nuk besojnë se duhet bërë ndonjë lëshim për të marrë njohjen nga Serbia, transmeton KOHA.

Përveç kësaj, anëtarësimi në BE dhe zhvillimi demokratik në Kosovë kanë mbështetje të fortë. 95 për qind e kosovarëve thanë se do të votonin për anëtarësim në BE nëse do të mbahej një referendum. Më tej, 66 për qind e njerëzve janë shumë ose disi të kënaqur me mënyrën se si është zhvilluar demokracia në vend.

Sondazhi tregon gjithashtu se më pak kosovarë janë të shqetësuar për korrupsionin sesa në vitet e kaluara. Përqindja e njerëzve që u përgjigjën se korrupsioni ishte problemi më i madh ose i dytë më i rëndësishëm me të cilin ballafaqohej Kosova, ra nga 29 për qind në shtator 2021 në 8 për qind në këtë sondazh.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *