Këshilli Prokurorial dhe Zyra KP: “Përbën ndërhyrje dhe presion në punën e Prokurorisë”
Këshilli Prokurorial dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shttit i kanë reaguar kryeministrit Albin Kurti, i cili duke folur për Astrit Deharin dje në Kvuend tha se Prokuroria s’është reformuar, ndërsa e akuzoi kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.
“Qeveria e Republikës së Kosovës nuk mund ta bëjë edhe prokurorinë, edhe gjyqësinë. Prokuroria duhet ta zbardhë rastin e shokut tonë të mbytur në burgun e Prizrenit më 5 nëntor 2016, Astrit Dehari. Por Prokuroria nuk është reformuar… Në vitin e ardhshëm i bëjmë 4 vjet në qeverisje, por KPK-ja është e njëjta. Aty në krye edhe më tutje me ndikim e me funskion është Blerim Isufaj”, tha ai.
KPK dhe ZKPSH thonë se “deklaratat e Kryeministrit për raste individuale, duke i interpretuar ato në mënyrën e tij dëshirore, pa i ditur faktet dhe duke e keqinformuar publikun në mënyrë të qëllimshme, lëndojnë ndjenjat e familjarëve të të ndjerëve, përbëjnë ndërhyrje dhe presion të drejtpërdrejtë në punën e Prokurorisë dhe cenojnë rëndë pavarësinë e sistemit të drejtësisë”.
Këto institucione kanë shtuar se qasja e tillë e kryeministrit dëmton funksionimin e institucioneve demokratike dhe ka për qëllim minimin e reputacionit të Prokurorit të Shtetit.
Një qasje e tillë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës dëmton funksionimin e institucioneve demokratike dhe ka për qëllim minimin e reputacionit të Prokurorit të Shtetit në përpjekjet institucionale për forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës dhe në vend që Kryeministri t’i mbështesë kërkesat buxhetore të sistemit prokurorial, ai zgjedhë rrugën e sulmeve ndaj institucioneve të Prokurorit të Shtetit.
”KPK dhe ZKPSH i kanë bërë thirrje Kurtit dhe anëtarëve të VV’së që të jenë më të përmbajtur.“
Andaj, KPK dhe ZKPSH i bëjnë thirrje Kryeministrit të vendit, anëtarëve të tjerë të kabinetit qeveritar dhe deputetëve të partisë në pushtet që të jenë të përmbajtur, të tregojnë sjellje të përgjegjshme institucionale dhe të mos tentojnë që përmes diskursit dhe retorikës politike ta sulmojnë sistemin prokurorial.”(gazetaexpress.com)