Kutitë postare për votimin e diasporës do të hapen në 22 shtete.
![](https://independentmedianetwork.net/wp-content/uploads/2024/11/1000004963-1024x576.jpg)
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e sotme ka miratuar propozimin për hapjen e kutive postare për procesin e votimit jashtë Kosovës.Kutitë postare sipas këtij vendimi do të hapen në 22 shtete.
“Me qëllim të ofrimit të mundësisë për votim për shtetasit që regjistrohen suksesshëm dhe që zgjedhin mënyrën e votimit duke dërguar fletëvotimin në kutinë postare jashtë Kosovës, KQZ do të kërkojë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës hapjen e nga një kutie postare në këto shtete: Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kroaci, Mal i Zi, Maqedonia e Veriut, Norvegji, SHBA, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi, Mbretëria e Bashkuar dhe Zvicër”, njofton KQZ-ja, transmeton Klankosova.tv.
Sipas ligjit për zgjedhjet, gjatë periudhës së aplikimit për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës, votuesit mund të votojnë duke u përcaktuar individualisht për mëyrën e votimit: 1. Të votojë fizikisht në njërën nga përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës; 2. duke dërguar fletëvotimin përmes postës në kutinë postare të KQZ në Kosovë; 3. duke dërguar fletëvotimin përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës.
Andaj, vendimi i mbledhjes së KQZ-së është i lidhur drejtpërdrejtë me mënyrën e votimit sipas pikës 3, për të cilën janë përcaktuar shtetasit jashtë Kosovës, në momentin e regjistrimit: Duke dërguar fletëvotimin përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës.
![](https://independentmedianetwork.net/wp-content/uploads/2024/11/1000004964.jpg)
Në vazhdim të mbledhjes, KQZ mori edhe disa vendime në kuadër të përgatitjeve për organizimin e zgjedhjeve të 9 shkurtit në mesin e të cilave edhe ai për miratimin e nominimeve për emrimin e dy anëtarëve në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën e Parteshit; vendimi për miratimin e zëvendësimit dhe emërimit të anëtarit në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën e Lipjanit; etj, transmeton Klankosova.tv (klankosova.tv)