Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë se vendimi i Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për të anuluar takimin e dy qeverive të paraparë për të mërkurën është vendim i njëanshëm.
“Është hera parë që një mbledhje e përbashkët anulohet në mënyrë të njëashme”, ka thënë Kryeziu për Gazetën Express.
“Nesër do të duhej të nënshkrueshin 13 marrëveshje të reja. Ato kishin synim t’i afronin ekonomitë tona, sistemet tona të drejtësisë, arsimit, kulturës, etj. Janë qytetarët ata që do humbasin më së shumti. Për fat të keq, anulimi i mbledhjes nga ana e kryeministrit Rama anuloi mundësinë për t’i nënshkrur ato”, ka thënë Kryeziu.
Të martën mbrëma, Kryeministri shqiptar Edi Rama në një konferencë për media tha se për shkak të agravimit të marrëdhënieve të Kosovës me bashkësinë euroatlantike, takimi nuk mund të zhvillohet sipas formatit të përcaktuar.
“I kam kërkuar Albinit për t’u takuar nesër në Gjakovë në një format më të ngushtë, përkatësisht me Ministrat e Jashtëm dhe ata të Mbrojtjes, për të diskutuar lidhur me këtë situatë që po e çan në mënyrë dramatike Kosovën me bashkësinë euroatlantike. Nuk kemi patur dakordësi me Kurtin, ai ka kërkuar që mbledhja të kryhet dhe veç të diskutojmë dhe për këtë, por kjo s’është e mundur”, tha Rama.
Ndërsa, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës tha se “takimet bilaterale do të mund të mbaheshin çdo ditë tjetër”.
“Jemi fare afër njëri-tjetrit si vende. Nuk do të ishte hera parë që do të takoheshim brenda ditës”, tha Kryeziu për Gazetën Express.
.
.
.