Çështja e Asociacionit mund të adresohet gjatë diskutimeve për një marrëveshje të normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, ka deklaruar Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Megjithatë, ai e ka theksuar se Kushtetuta e Kosovës nuk e lejon themelimin e një Asociacioni një-etnik.
“Jemi në një moment kur flasim dhe diskutojmë për një marrëveshje të normalizimit të plotë të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe aty edhe çështja e Asociacionit mund të adresohet. Megjithatë, Kushtetuta e Kosovës, që i ka dhënë shumë privilegje pakicës serbe dhe që është përpiluar nga zoti Marti Ahtisaari dhe nga zoti Albert Rohan, në frymën e saj nuk lejon Asociacion një-etnik. Fjalia e parë e atij plani, e asaj zgjidhjeje që është hartuar nga Ahtisari dhe Rohan, thotë se Kosova duhet të jetë një shoqëri shumetnike”, ka thënë Kurti gjatë një vizite në Vjenë, transmeton DW.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe shumë diplomatë perëndimorë po këmbëngulin që Prishtina zyrtare ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Këtë e bëri të qartë, këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit Derek Chollet gjatë vizitës së tij në Kosovë. Sipas tij, Asociacioni duhet të themelohet në pajtim me Kushtetutën e Kosovës.
“Dua të jem i qartë se ne nuk e mbështesim dhe nuk do ta mbështesim një organizimin të tipit Republike Serpska. Nuk po i kërkojmë Kosovës asnjë aranzhim që nuk është në pajtim me Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015. Parlamenti i Kosovës i ka ratifikuar marrëveshjet e Brukselit dhe Gjykata Kushtetuese ka thënë se është e domosdoshme të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe gjë që ne besojmë se e bënë këtë një detyrim ligjor për qeverinë e Kosovës”, tha Derek Chollet.
Deklarimet e këshilltarit të departamentit amerikan të shtetit Derek Chollet për Asociacionin i përforcoi zëvendës-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar, i cili shoqëronte zotin Chollet gjatë vizitës së tij në Prishtinë dhe Beograd.
Lexo më shumë këtu