Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian duhet të bëjnë “trysni shtesë” ndaj Serbisë për të arritur marrëveshjen finale me Kosovën, ka deklaruar Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Kosova ka shënuar hapa të mëdhenj në vitet e fundit, kemi stabilitet institucional dhe raporti i progresit është më i miri që ka pasur vendi ynë. Fakti që jemi shtet normal, nuk do të thotë se kemi marrëdhëniet normale me fqinjin tonë. Ato marrëdhënie duhet të normalizohen por jemi të bindur se këto marrëdhënie nuk janë normale sepse Serbia është regjim hibrid”, ka thënë Kurti gjatë një konference për media.
Sipas tij, faktori ndërkombëtar duhet të bëjë trysni mbi Beogradin për ta arritur marrëveshjen finale.
“Presidenti amerikan Joe Biden e ka thënë qartë që Kosova dhe Serbia kanë nevojë për një marrëveshje finale e cila bën normalizimin e plotë të marrëdhënieve me njohjen reciproke në qendër dhe ne plotësisht pajtohemi”.
“Besoj se është e mundur sepse besoj në fuqinë e BE-së dhe SHBA-së që të bëjë trysni shtesë mbi Beogradin. Ka nevojë për trysni shtesë mbi Beogradin”, ka thënë Kurti, transmeton Klan Kosova.