Të hënën është mbledhur Këshilli i Sigurisë së Kosovës pas thirrjes së Kryeministrit Albin Kurti për të diskutuar gjendjen në veri të vendit.
Në mbledhje u diskutua për “incidentet e fundit të shkaktuara nga strukturat ilegale dhe grupet kriminale, të koordinuar dhe mbështetura nga Qeveria e Serbisë”, që sipas Qeverisë së Kosovës, po veprojnë kundër rendit kushtetues.
“Qeveria dhe institucionet e Republikës së Kosovës nuk mund të dialogojnë me banda kriminale, ndërsa u potencua se liria e lëvizjes duhet të rivendoset dhe se nuk duhet të ketë barrikada në asnjë rrugë”, u tha në njoftim, transmeton REL.
Qeveria tha se është në komunikim të vazhdueshëm me misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, dhe po pret që ata të veprojnë, duke theksuar që Policia e Kosovës ka të gjitha kapacitetet për të hequr barrikadat.
“Strukturat ilegale si dhe grupet kriminale po vazhdojnë të kryejnë akte ekstremiste ndaj qytetarëve të Republikës, institucioneve shtetërore, ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, gazetarëve, ndaj pjesëtarëve misionit të EULEX-it dhe njësive patrulluese të KFOR-it”, u tha në njoftim.
Për 17 ditë me radhë, rrugët që çojnë drejt pikave kufitare Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën me Serbinë – janë të bllokuara nga barrikadat e ngritur nga disa serbë lokalë.