Aleanca e NATO-s nuk është duke bërë mjaftueshëm në ndihmë të Ukrainës, ka deklaruar Kryeministri i Kosovës Albin Kurti.
Kur është pyetur nga BBC për qëndrimin e tij në lidhje me zonën e ndalim-fluturimit mbi qiellin e Ukrainës, Kurti ka kërkuar që të bëhet më shumë në ndihmë të popullit ukrainas.
“NATO-ja e di më së miri, por mendoj se kur i shihni popullin e Ukrainës duke vuajtur dhe në të njëjtën kohë avionët dhe artilerinë ruse duke i bombarduar civilët, nuk mendoj se ajo që po bëjmë aktualisht, përfshirë NATO-n, është e mjaftueshme”, ka thënë Kurti, transmeton Klan Kosova.
Kurti ka kujtuar ndërhyrjen e aleancës gjatë luftës në Kosovë.
“NATO-ja e ndaloi gjenocidin serb në Kosovë. 19 shtete u bashkuan për të ndaluar Kasapin e Ballkanit, Sllobodan Millosheviq, pasi ai veçse kreu gjenocid në Bosnje dhe Hercegovinë. Pra, ishte gjenocidi i dytë në kontinentin e Evropës pas Luftës së Dytë Botërore që e bëri NATO-n të ndërhynte. NATO-ja, shtetet e NATO-s, populli i Evropës duhet ta ndihmojnë popullin ukrainas sepse ata po e mbrojnë të gjithë kontinentin”, ka thënë Kurti.