Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar të dielën se pavarësia dhe integriteti territorial i vendit nuk do të diskutohet “asnjëherë, askund”.
“Le ta dinë të gjithë, kur kërkojmë të respektohet pavarësia dhe integriteti territorial i Ukrainës, as që bëhet fjalë të mendohet se do të tolerojmë prekjen e pavarësisë, sovranitetit apo integritetit territorial të Kosovës”, ka thënë Kurti gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje.
Në mbledhjen e caktuar për emërimin e kryesisë së re, shefi qeveritar e partiak tha se VV ka bërë punë të mëdha në qeverisje qendrore. Kurti tha se në tri vjetët e fundit partia në pushtet e ka dyfishuar anëtarësinë, derisa i thirri aktivistët të veprojnë me plane e interesa afatgjatë, transmeton Klan Kosova.