Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është pritur të mërkurën në Paris nga Presidenti i Francës Emmanuel Macron.
Në paraqitjen për media para fillimit të takimit, Kurti tha se ndjehet i privilegjuar që po realizon takimin me presidentin francez.
“Është privilegj dhe përgjegjësi për mua si kryeministri i shtetit më të ri të Evropës të jem para Pallatit Presidencial të Francës për t’iu garantuar se Kosova do të jetë gjithnjë me aspiratat evropiane dhe demokratike”, është shprehur Kurti.
Ai tha se qeveria e tij në Kosovë synon ndërtimin e një shteti në modelin e arritur nga Franca.
“Sado i vogël shteti jonë ka për mision të organizojë ndërtimin e vet të plotë institucional, shtetin e së drejtës dhe lirinë e mendimit me të njëjtën cilësi sa edhe shtetet e mëdha historikë mes të cilëve një prej modeleve më të mira është Franca”, ka thënë Kurti, transmeton Klan Kosova.
Ndërsa, Presidenti Macron ka falënderuar Kurtin për vizitën, derisa ka ftuar Kosovën dhe Serbinë që të angazhohen në dialog.
“E ftoj Kosovën dhe Serbinë për t’u angazhuar si europianë për gjetjen e një kompromisi për t’u kthyer te e ardhmja europiane”, ka thënë Macron.