Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka lavdëruar punën e Qeverisë së tij në mbështetjen e bizneseve dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Sipas Kurtit, të dhënat tregojnë se gjatë vitit 2022 është shënuar progres në disa drejtime kyçe në ekonominë e Kosovës.
“Qarkullimi i bizneseve për periudhën janar-gusht 2022 ka shënuar rritje prej 21.6% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021 dhe 67.9% krahasuar me vitin 2020. Si rezultat, në vitin 2021 kishim të regjistruara 25 mijë vende pune më shumë sesa ai pararendës, kurse nga janari deri në gusht të këtij viti kemi 15 mijë vende pune më shumë”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Kurti ka thënë se gjatë javës do të filloj zhdoganimi i mallrave në Portin e Durrësit dhe se kjo do të ulë kostot e bizneseve dhe konsumatorëve.
Në postimin e tij, Kurti gjithashtu deklaroi se është shënuar rritje gjatë këtij vitit edhe në investimet e huaja direkte.
Ndërkohë, ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka reaguar ndaj shkrimit të Kryeministrit Kurti duke thënë se të dhënat e Qeverisë për rritje ekonomike janë të pasakta dhe tendencioze.