I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i ka vlerësuar si “përmbushje të qëllimit” takimet me liderët e tri partive kryesore opozitare në Kosovë.
Të premten, Lajçak ka takuar kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqin, atë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe së fundmi kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
“I informova për procesin, për pritshmëritë e komunitetin internacional, ata shpjeguan pozicionet e tyre e tyre partiake, pra është gjithçka përgatitje e takimit të 18 marsit”, ka deklaruar Lajçak, transmeton Klan Kosova.
“Është gjithashtu e rëndësishme që ta dëgjojnë nga unë ata dhe jo vetëm nga mediet ose parlamenti. Dhe për mua takimi e ka përmbushur qëllimin”, tha Lajçak.
Të enjten, i dërguari i BE-së u takua me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministrin Albin Kurti.
Këto takime, Lajçak i realizoi disa ditë para takimit të radhës që Kryeministri Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të kenë në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Pritshmëritë janë që në këtë takim palët do të nënshkruajnë një marrëveshje të pajtimit për propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve.