Janë 16 modele ‘ekzistuese funksionale’ për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë të cilat po i trajton i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

“Po flasim me partnerët tanë për modele ekzistuese që po forcojnë funksionalitetin e shteteve dhe jo dobësimin, prandaj mendojmë se nuk duhet të ketë frikë. Askush nuk ka interes ta dobësojë funksionalitetin e Kosovës”, ka deklaruar Lajçak, transmeton REL.

Emisari evropian tha se Asociacioni është obligim tash e 10 vjet i Kosovës, dhe se BE-ja e ka përsëritur “në secilin deklarim dhe dokument që të gjitha marrëveshjet e kaluara duhet të implementohen nga palët”.

“Duhet ta shohim jo si kërcënim a dënim a kompromis, por obligim në njërën anë, dhe duhet të shihet edhe si ndërtim i mirëbesimit të serbëve të Kosovës dhe Qeverisë së Kosovës dhe definim të qartë të raporteve të Qeverisë së Serbisë me serbët e Kosovës, sipas standardeve evropiane”, tha Lajçak.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është përballur me thirrjet e SHBA-së dhe BE-së që të themelojë Asociacionin, për të cilin Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje më 2013 dhe 2015. Por, ai është shprehur kundër një asociacioni njëetnik, me kompetenca ekzekutive.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *