Deputetët e LDK-së: “Duart larg fëmijëve dhe familjes!”
Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) kanë reaguar ashpër pas adresimit të kryeministrit kosovar, Albin Kurti, i cili, në përpjekje për të zbritur pulsin e ngritur të qytetarëve për shkak të doracakëve të papërshtatshëm për edukimin seksual të fëmijëve, akuzoi mediat dhe opozitën për “luftë hibride” kundër Qeverisë së Kosovës.
Deputetja nga radhët e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, derisa komentoi deklaratën e kreut të ekzekutivit se doracakët që nxitën debat në Kosovë janë miratuar në kohën kur Ministria e Arsimit drejtohej nga LDK-ja, shkroi: “Kryeministër, PËRMBAJTJEN e doracakëve e keni SHKRUAR VET – MIRATUAR VET – PUBLIKUAR VET”.
“Mos shpifni, mos u mbroni, mos i ikni përgjegjësisë. Mbani duart larg fëmijëve! Mbani duart larg familjes! LDK JU GJUNJËZOI KËSAJ RADHE, POR JU GARANTOJMË, NUK DO TË GUXONI PREKNI MË KURRË TË SHENJTËN TONË. NUK JU LEJOJMË, NUK JU TOLEROJMË!”, shkroi Kica-Xhelili në Facebook të dielen.
Deputeti tjetër i LDK-së, Berat Rukiqi, komentoi veçanërisht deklaratën e kryeministrit se “ata bëjnë politikë me fëmijë dhe familje, ne kemi bërë politika për fëmijët dhe familjen”, duke thënë: “Kryeministër, është e vërtetë që keni bërë politika për fëmijët. Keni bërë politika perverse. I keni shndërruar në ekperiment social”.
Megjithatë, zyrtarë të partisë në pushtet pretendojnë se përmbajtja e tre doracakëve të diskutueshëm është keqinterpretuar nga partitë opozitare, në përpjekje të krijimit të kauzave në prag të zgjedhjeve nacionale, duke shtuar se doracakët asnjëherë nuk kanë qenë kurrikulë, as tekste shkollore, as lëndë obligative, apo tekste për nxënës.
E pavarësisht përpjekjeve për të mohuar përgjegjësinë pas shpërthimit të skandalit rreth doracakëve për edukimin seksual, krerët e institucioneve kosovare përgëzuan në tetor të vitit 2023 grupin punues ndërsektorial dhe agjencinë e Kombeve të Bashkuara (UNFPA) për hartimin e këtyre tre doracakëve ndihmës për mësimdhënësit.
Ndryshe, doracakët për edukimin seksual dhe shëndetin riprodhues, të cilët ngjallën shumë reagime, detyruan qeverinë të themelojë një komision për rishikimin e përmbajtjes së tyre, ku vëmendje e posaçme do t’u kushtohet pjesëve që nuk e kanë gjuhën e përshtatshme, dhe nuk përputhen me kontekstin apo standardet e edukimit.(Albanian Post)