Ka nisur votimi në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë.
Ndër të parët që dhanë votën e tyre gjatë mëngjesit të së dielës ishin edhe kryetarët e partive politike.
Kandidati për Kryeministër nga PDK, Enver Hoxhaj, ka votuar në Fakultetin e Filologjisë, njofton Klan Kosova. Ai ishte i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Remzie Shahini Hoxhaj.
Ndërkohë, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, bashkë me gruan e tij Anita Muçaj Haradinaj, kanë votuar në shkollën e mesme të Mjekësisë “Ali Sokoli”.
“Lus të gjithë qytetarët të shfrytëzojnë të drejtën e vet. Këto zgjedhjet janë me rëndësi, na presin shumë sfida”, ka thënë Haradinaj pas votimit.
Pas votimit, kandidati i LDK-së për kryeministër Avdullah Hoti ka ftuar qytetarët të votojnë duke shtuar se “sot është dita e tyre, ata sot thonë fjalën e tyre”.
Ndërsa, kreu i LVV-së Albin Kurti pasi ka votuar, ndër të tjera është shprehur optimist për të ardhmen duke thënë: “Sot është ditë e bardhë e ndritshme, ashtu si do të jetë e ardhmja jonë.”