Partia më e madhe e serbëve të Kosovës, Lista Serbe, ka bërë thirrje që të bojkotohen zgjedhjet lokale në veri të Kosovës që do të mbahen të dielën e 23 prillit.
“Serbët duhet t’i shikojnë me përbuzje të gjithë ata që planifikojnë të dalin dhe të marrin pjesë në këtë proces të paligjshëm zgjedhor, që është kundër interesave të popullit serb”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Lista Serbe.
Në deklaratë thuhet se kjo parti i bën thirrje “të gjithë popullit serb” që të qëndrojë i qetë të dielën dhe të mos bjerë në “provokimet e regjimit të [kryeministrit të Kosovës] Albin Kurti”, qëllim i vetëm i të cilit, siç tha, është “dëbimi i serbëve nga veriu”, transmeton REL.
Të dielën e 23 prillit, zgjedhjet e parakohshme lokale mbahen në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq – të gjitha të banuara me shumicë serbe.
Në deklaratën e saj, po ashtu, thuhet se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “dëshiron t’i pushtojë komunat e veriut të Kosovës” përmes “kryetarëve pushtues”.
Ndërkohë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se në këto zgjedhje nuk do të marrin pjesë më shumë se “100 serbë”.
Ai tha se “njerëzit nga Perëndimi” po bëjnë “cirk”, sepse mendojnë se mund t’i bëjnë me forcë serbët që ta duan Kosovën e pavarur, duke i detyruar ata të marrin pjesë në zgjedhje.
Sipas tij, askush nuk do të dalë “në kontejnerët e policisë” për të votuar.
Në lidhje me zgjedhjet e së dielës, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka tërhequr vërejtjen se “të gjitha përpjekjet për të penguar mbajtjen e zgjedhjeve përmes kërcënimeve apo përdorimit të dhunës, do të përballen me dënimin e fuqishëm të komunitetit ndërkombëtar”.