Perëndimi duhet të shqyrtojë nevojën e Rusisë për garanci sigurie nëse Presidenti Vladimir Putin pranon të ulet në negociata për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, ka deklaruar Presidenti francez Emmanuel Macron.

Rusia dhe Shtetet e Bashkuara thanë këtë javë se janë të hapura për bisedime në parim, megjithëse presidenti amerikan Joe Biden tha se ai do të bisedonte me presidentin rus vetëm nëse shefi i Kremlinit shfaqte interes për t’i dhënë fund luftës.

Ukraina thotë se negociatat janë të mundshme vetëm nëse Rusia ndalon sulmet dhe tërheq trupat e saj.

Zoti Macron tha se Evropa duhet të përgatisë arkitekturën e saj të ardhshme të sigurisë.

“Kjo do të thotë se një nga pikat thelbësore që duhet të trajtojmë – siç ka thënë Presidenti Putin – është shqetësimi (i Moskës) se NATO-ja do të arrijë në kufijtë e saj dhe dislokimi i armëve që mund të kërcënojnë Rusinë,” tha Macron në një intervistë me televizionin francez TF1 të regjistruar gjatë vizitës së tij shtetërore në Shtetet e Bashkuara këtë javë dhe transmetuar të shtunën.

“Kjo çështje do të jetë pjesë e bisedimeve për paqen, kështu që ne duhet të përgatitemi se çfarë do të jemi gati të bëjmë, si t’i mbrojmë aleatët tanë dhe vendet anëtare dhe si t’i japim garanci Rusisë ditën që ajo të kthehet në tryezën e negociatave”, tha presidenti francez.  / VOA /

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *