Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka pritur në takim të enjten Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani dhe Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.
Osmani e Kurti po marrin pjesë në Forumin e Paqes në Paris, të iniciuar nga presidenti francez.
Presidentja Osmani deklaroi se Kosova mbetet e angazhuar, në koordinim me partnerët ndërkombëtarë, për paqe, stabilitet dhe “për të garantuar mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët e vendit”.
“Presidenti Macron potencoi përkrahjen e tij për paqe, siguri dhe stabilitet në Kosovë dhe rajon. Në takim, ritheksuam rëndësinë e përfundimit të procesit të liberalizimit të vizave përgjatë presidencës çeke të Këshillit të BE-së, si dhe kërkuam vazhdimin e mbështetjes së Francës për integrimin euroatlantik të Kosovës dhe anëtarësimin në organizata tjera ndërkombëtare”, shkroi Osmani në Facebook.
Ndërkohë, Kryeministri Kurti tha se në Paris ka “propozuar kornizën e përgjithshme të marrëveshjes” mes Kosovës dhe Serbisë.
Kurti gjithashtu tha se “propozimi franko-gjerman shërben si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme”.