Gjashtë diplomatë të Ambasadës ruse në Shkup janë shpallur “të padëshiruar” dhe për këtë është njoftuar të premten ambasadori rus në Maqedoninë e Veriut, Sergej Bazdnikin.
Ministria njoftoi përmes një komunikate se në bazë të informatave të marra nga organet kompetente, diplomatët rusë kishin kryer aktivitete që binin ndesh me Konventën e Vjenës për marrëdhënie diplomatike, dhe ata duhet të largohen nga territori i Maqedonisë së Veriut brenda një afati pesëditor.
Autoritetet maqedonase nuk japin hollësi të tjera lidhur me veprimtarinë e punonjësve të ambasadës ruse, transmeton VOA.
Maqedonia e Veriut i është bashkuar të gjitha nismave euro-atlantike për sanksione kundër Rusisë për shkak të agresionit të saj ndaj Ukrainës. Rusia e ka futur vendin e vogël ballkanik në listën e vendeve jo-mike, duke kërcënuar qëndrueshmërinë e tyre.