E megjithatë Moikomi nuk u ankua asnjëherë, madje as në bisedat me miq, por vetëm shkruante, shkruante e diskutonte.
Nga Ylli Pata
www.gazeta-shqip.com
Moikom Zeqo u nda nga jeta në moshën 71-vjeҫare. Për intelektualët dhe mendjet e ndritura, kjo është mosha më prodhimtare për të dhënë pjesën më të rëndësishme të veprimtarisë së jetës.
Kishte kohë që vuante nga një sëmundje të rëndë, beteja me të cilën ishte e egër, por forca dhe dëshira për të jetuar e nuk e ndali. Dhe deri në momentin e mbramë, sërish nuk e la të shkruarit.
Bëhet natyrisht fjalë për Moikom Zeqon, intelektualin shumë të njohur në botën mbarë shqiptare, ndarja e të cilit nga jeta sot në mëngjes, ka sjellë një valë të madhe reagimesh në rrjete sociale, duke shprehur dhimbjen e ngushëllimin për këtë largim të parakohshëm.
Moikom Zeqo me origjinë nga Libohova, por i lindur dhe i rritur në Durrës, i përket brezit të artë të intelektualëve të viteve ‘70, i cili askush se di se cili ishte fusha e parë e tij në shkencat humane që lëvroi gjatë gjithë jetës së tij.
Poet i shkëlqyer, sa hyn në grupin e talenteve të të rinjve të viteve 70, arkeolog, kryesisht ekspert i studimit të vlerave historike në thellësitë e deteve, studiues letërsie, piktor, madje me disa ekspozita personale, eset, administrator i trashëgimisë kulturore, deputet, ministër Kulture, por mbi të gjitha një nga humanistët më të mëdhenj shqiptar.
Moikom Zeqo ishte një nga intelektualët më prodhimtarë shqiptar, i cili firmën e tij e ka lënë në 62 vepra të shkruara që cilësohen nga më të mirat e kulturës shqiptare.
Përveҫ se librat, Moikom Zeqo ishte një publicist ‘full time’, pasi që prej 30 viteve nuk ka rreshtuar së shkruari në faqet e gazetave shqiptare për kulturën, letërsinë e historinë.
I cilësuar si një nga “yjet në ngjitje” të letërsisë shqipe nga vetë Ismail Kadareja, Moikom Zeqo, në pjesën e parë të jetës intelektuale punoi si gazetar e punonjës shkencor i arkeologjisë dhe më pas në Akademinë e Shkencave.
Në janarin e vitit 1990, Ramiz Alia, e fton të futet në qeveri si Kryetar i Komitetit për Kulturën dhe së bashku me një grup intelektualësh i kërkon të bëhet themelues i Partisë Socialiste që do të krijohet më 12 qershor 1990.
Kjo është dita e hyrjes së Moikomit në politikë, që ai siҫ kishte bërë me të shumë profesionet e tij e merr me entuziazëm të madh.
Duke folur e dhënë idetë e tij hapur, me pozitivitet maksimal dhe pa i shërbyer ndarjes politike. Pikërisht këto cilësi të Moikomit që e bënin popullor tek të gjithë, duket se e dëmtonin politikisht pasi nuk donin që ti jepnin famë.
Socialistët nuk e propozuan ministër në qeverinë e koalicionit të Ylli Bufit, megjithëse ishte një nga xhevahiret e rralla intelektuale që kishin.
Në zgjedhjet e 22 marsit 1992, Fatos Nano e vendos në listën fituese të proporcionalit dhe Moikom Zeqo bëhet parlamentar i Partisë Socialiste.
Fjalimet e Moikomit në Parlament ishin krejt ndryshe nga të gjithë: Kurrë nuk fliste për gjera konkrete, por shtronte ide dhe rrihte larg. Kurrë nuk pati replika e as ndërprerje, pasi temat që ai shtronte nuk ishin asnjëherë partiake.
Pikërisht kjo mënyrë e të bërit politikë, ja ndërpreu karrierën e deputetit me vetëm një mandat parlamentar.
Në vitin 1997, kur socialistët fitojnë zgjedhjet, mediat e vendit e vendosnin Moikomin si kandidaturën më të natyrshme si ministër i Kulturës, ngaqë nuk e vunë për deputet. Fatos Nano emëron Arta Daden në këtë post, por Moikomit i jepet drejtimi i Muzeut Historik Kombëtar. Një “kostum” teknokrat që u duk i papërshtatshëm për intelektualin që tashmë ishte futur në politikë.
Megjithatë Moikomi e pranon këtë post si një rikthim te shkenca dhe realisht atë ditë braktis politikën aktive, por nuk hesht ndaj problemeve të politikës, madje është më aktiv e kritik se kurrë.
Pikërisht zëri i Moikomit si kritik i “pandreqshëm” e largoi gjithnjë e më shumë nga PS-ja që ai themeloi.
Edhe pse mbeti deri në fund një ithtar i së majtës politikisht, Moikom Zeqo, ju kthye fuqishëm studimit dhe publicistikës që nuk e la asnjë ditë, madje duke qenë aktiv në analiza politike, debate për historinë, recenca letrare e deri në diskutime për çështje të shumta të trashëgimisë kulturore shqiptare.
Pas vitit 2005, kur u zëvendësua si Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, nga një aparatçik militant i Partisë Demokratike, Moikom Zeqo nuk punoi asnjë ditë në shtet.
Një akademik i përmasave të tilla që u braktis nga shteti, të cilit i dha gjithҫka nga vetja dhe energjitë e tij. Prej 15 vitesh, Moikomi ka jetuar me honorare gazetash e librash, sikur të ishte rishtar në letërsi a kulturë.
Një turp për ҫdo shtet që braktis një gjeni të tillë. E megjithatë Moikomi nuk u ankua asnjëherë, madje as në bisedat me miq, por vetëm shkruante, shkruante e diskutonte.
Me daljen e rrjeteve sociale Moikomi ishte një fenomen i vërtetë, edhe pse shumë homologë e moshatarë të tij nuk po i përshtateshin dot. Kishte ndjekës pafund që e bekonin, uronin dhe jepnin zemër në ditët e vështira të kimioterapisë që intelektuali i madh i shpërndante me ndjekësit.
Ndau me mbështetësit e tij edhe gëzimet private, sidomos atë të qenurit gjysh, ku gëzimi i Moikomit për lindjen e mbesës së tij ishte “biblik”.
E që natyrisht familja ishte ngushëllimi i tij më i madh, natyrisht së bashku me miqtë, ndryshe nga shteti e politika që e braktisi, ngaqë i frikësohej mendimit të tij të lirë!