Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka bërë thirrje që të ndaloj “baltosja” dhe sulmet ndaj njerëzve me akuza të pa argumentuara rreth rreth të kaluarës së tyre.
Ditëve të fundit është folur nëpër media se politikani shqiptar Lulzim Basha, gjatë kohës që kishte punuar në UNMIK, ishte angazhuar për hetimin e anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“E ndjej shumë rëndë që në vitin 2020 të “zbulojmë” se dikush nga Shqipëria pas çlirimit paska qenë kundër UÇK-së. Konstruktime të tilla të pavërteta, nuk iu ndihmojnë pjestarëve të UÇK-së që tani janë në Hagë. Nuk i bëjnë mirë të vërtetës. I bëjnë keq harmonisë dhe solidaritetit shqiptar në Shqipëri dhe në Kosovë, që na nevojitet më shumë se çdoherë më parë”, ka shkruar Mustafa në Facebook.
Ai ka rikujtuar se Gjykatën Speciale e ka votuar Kuvendi i Kosovës, derisa ka theksuar se “Shqipëria nuk ka dorë dhe as hile në këtë vendim dhe as në proceset gjyqësore që u zhvilluan pas lufte”.
“Baltosja e njerëzve pa asnjë arsye të shëndoshë dhe pa argumente nuk është rrugë dhe mënyrë e mbrojtjes së vlerave të UÇK-së, të vlerave të shtetit tonë dhe të shtetit shqiptar. Duhet të pushojnë sulmet e tilla, sepse po na dëmtojnë”, është shprehur Mustafa.