Poeti Ndue Ukaj është rikthyer me një botim të ri me poezi të titulluar “Retë prej drite”.
Autor i katër librave me poezi, tanimë libri i tij i pestë vjen nën emërtimin “Retë prej drite”, një titull ky që konsiderohet të jetë vetë identiteti i librit. Re të bardha e të zeza përshkojnë të gjitha vargjet e këtij libri, andaj edhe për autorin ka qenë dukshëm një proces lumturimi e trishtimi, transmeton KultPlus.
“Retë prej drite” është prezantuar në Panairin e Librit në Tiranë, dhe sipas shkrimtarit ky libër është një botë: pra, është bota e tij, bota e dëshirave dhe dashurive të tija, e njerëzve të tij, e miqve të tij, e mjedisit të tij, e ndjesive të tija, e ëndrrave të tija, e ideve të tija, e synimeve të tija. Është bota e dëshirave të tretura e të varrosura në heshtje, pa bujë e pa kujë, e kujtimeve dhe leximeve.
Ukaj ka rrëfyer copëza nga procesi i krijimit të librit, ka ndarë preokupimet e tij lidhur me botimin dhe rezultatet pas tij, ka shpjeguar temat kryesore që i përkasin këtij libri. Po ashtu, ai ka treguar për vështirësitë e krijimit të një libri me poezi, për poetët e tij të preferuar, për ndryshimet e tij përgjatë viteve si krijues si dhe për poezinë e tij më të përafërt në librin e tij më të fundit. Tutje, nuk kanë munguar as mendimet rreth letërsisë shqipe si dhe projekteve të tij të radhës.
“Krijimi është një mister dhe rrethanat që e shoqërojnë procesin krijues po ashtu janë misterioze. Për mua, pikërisht këtu qëndron bukuria e artit, sidomos e poezisë”, është shprehur Ukaj.
Lexo intervistën e plotë këtu