Gjatë ditës së hënë, përmes një ceremonie me pjesëmarrjen e liderëve botërorë, në Angli iu dha lamtumira e fundit Mbretëreshës Elizabeta II.
Në Pallatin Uindsor u mbajt ceremonia përmbyllëse e varrimit të Mbretëreshës britanike.
Udhëheqësi i ceremonisë, David Conner, u ka thënë mysafirëve se janë mbledhur për “t’ia dorëzuar Zotit, shpirtin e shërbëtores së saj, Mbretëreshës Elizabeta”.
Në mesin e 2.000 të ftuarve kanë qenë liderë botërorë, përfshirë presidentin amerikan, Joe Biden, dhe qindra udhëheqës tjerë shtetesh.
Qindra mijëra persona dolën nëpër rrugët e Londrës, nëpër të cilat ka kaluar arkivoli i Mbretëreshës.
E pranishme në këtë ceremoni ka qenë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
“Dashuria, përkushtimi dhe bujaria, janë virtytet për të cilat do të kujtohet përherë! Pusho në paqe Mbretëreshë!”, ka thënë Osmani përmes një postimi në Facebook.
Udhëheqësi i ceremonisë në Kishën Uestminister, David Hoyle, ka vlerësuar shërbimin e kryer nga Mbretëresha gjithë jetën e saj.
Mbreti Charles III, ka qëndruar mbrapa arkivolit të mbretëreshës së ndjerë.
Mbretëresha Elizabeta II ka vdekur më 8 shtator në moshën 96-vjeçare. Ajo ka qenë në fron për 70 vjet – më shumë se çdo monark tjetër i Mbretërisë së Bashkuar.