Një sondazh i bërë në Mbretërinë e Bashkuar ka treguar se shumica e njerëzve atje dëshirojnë të ndryshojnë jetët e tyre pas përfundimit të pandemisë koronavirus.

54% e të anketuarve u pajtuan me konstatimin “Shpresoj të ndryshoj diçka për jetën time dhe shpresoj të kemi mësuar si vend nga kjo”, derisa vetëm 9% u shprehën se preferojnë të kenë jetën si ishte para shpërthimit të koronavirusit.

Siç transmeton BBC, sondazhi u bë me 4,000 persona në gjithë vendin, derisa u organizua nga Royal Society for Arts, Manufactures and Commerce në bashkëpunim me Food Foundation.

Nga të dhënat e tjera të këtij sondazhi, 51% e të anketuarve thanë se kanë vërejtur që ajri është më i pastër, derisa 27% se kanë parë më shumë kafshë. 39% thanë se janë më shumë në kontakt me shokët dhe familjen përmes video-lidhjeve.

Ndërkohë, sa i përket ushqimit, rreth 4 persona nga 10 thanë se po e çmojnë më shumë ushqimin, dhe se përgatisin më shumë nga përbërës të rrallë. Megjithatë, sondazhi ka treguar se vetëm 9% e të anketuarve ndjehen më shëndetshëm, 27% thanë se bëjnë ushtrime fizike më shumë, derisa 36% treguan se këtë janë duke e praktikuar më pak.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *