Edhe seanca e tretë e thirrur për zgjedhjen e presidentit të ri ka dështuar në Kuvendin e Shqipërisë.
Shumica socialiste dhe opozita nuk kanë arritur as të hënën të gjejnë një emër konsensual që të jetë president i vendit për pesë vitet e ardhshme.
Tani, në raundin e katërt, do të jetë shumica e Edi Ramës që do të propozojë e votojë me një shumicë te thjesht prej 71 votash kryetarin e ri të shtetit, transmeton Top Channel.
Edhe seanca e tretë ishte fotokopje e dy të parave por me një ndryshim. Enkelejd Alibeaj dhe deputetët që e mbështesin e bojkotuan seancën.
Ndryshe nga deputetët e Alibeajt, në bojkot nuk u përfshinë deputetët e Sali Berishës.
Parashikohet që raundi i katërt për zgjedhjen e presidentit të ri mund të mbahet këtë të shtunë ose të hënën e ardhshme.