Nga: Claire Allfree / The Daily Telegraph Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com
Kur në vitin 2000 u botua përkthimi që Frenk Uini [Frank Wynne] i bëri romanit të Mishel Uelbekut [Michel Houellebecq] të vitit 1998, Asgjësim [Atomised], një lexues i ankohej Uinit se shkrimi i tij ishte “shumë sipërfaqësor”.
“Iu përgjigja: nuk e ke idenë se sa shumë u mundova për ta bërë sipërfaqësor!” – thotë Uini për një roman, këndvështrimi nihilist i të cilit për jetën e përditshme reflektohet në prozën e tij.
“Cilësia më e rëndësishme që i duhet një përkthyesi është aftësia për të shkruar”, shton ai. “Shumë njerëz pohojnë se përkthimet e Bodlerit [Charles Baudelaire] të Posë [Edgar Allan Poe] janë më interesante sesa origjinali. Përkthimi është shumë më tepër se thjesht një komunikim i kuptimit. Nuk mundesh thjesht të zëvendësosh fjalët dhe të paramendosh se do të përfundosh me të njëjtën gjë”.
Megjithatë, pranë shkatërrimit mund të jetë ky parim thelbësor i përkthimit letrar, i cili thekson rëndësinë e përshtatjes krijuese mbi përkthimin e fjalëpërfjalshëm. Këtë javë, botuesi më i madh në Holandë, “Veen Bosch & Keuning” – që është degë e botuesit britanik “Simon and Schuster” – njoftoi se është duke testuar përdorimin e inteligjencës artificiale [IA] për botimet në anglisht të romaneve holandeze.
“Do të ketë një fazë redaktimi dhe nga autorët është kërkuar që të japin miratimin e tyre për këtë”, tha një zëdhënës i VBK-së për “Bookseller”. Nuk është dhënë ndonjë shpjegim për këtë vendim, por është pothuajse e sigurt se ka të bëjë me uljen e kostove: inteligjenca gjenerative artificiale aktualisht mund të shfrytëzohet pa pagesë dhe gjerësisht po përdoret në përkthimin e materialeve teknike, gjë që do të thotë se shumica e përkthyesve teknikë njerëzorë janë pothuajse të panevojshëm. Kompania ka theksuar se për momentin po testojnë vetëm romanet komerciale dhe se nuk kanë plane të përdorin inteligjencën artificiale në letërsinë e mirëfilltë.