Në një bisedë telefonike me Presidentin rus, Vladimir Putin, Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e ka kritikuar Rusinë për qëndrimet e saja ndaj luftës që po zhvillohet në Rripin e Gazës.
Zyra e Netanyahut tha në një komunikatë për media se lideri izraelit shprehu pakënaqësinë e tij me qëndrimet që i kanë marrë përfaqësuesit rusë në Kombet e Bashkuara dhe në forumet e tjera ndërkombëtare.
Rusia e mbështeti të premten një rezolutë të Këshillit të Sigurimit që bënte thirrje për ndaljen e luftës së Izraelit në Gazë, e cila, megjithatë, u bllokua nga Shtetet e Bashkuara që përdorën veto.
Netanyahu, po ashtu, “shprehu kritika të ashpra për bashkëpunimin e rrezikshëm mes Rusisë dhe Iranit”, sipas komunikatës së zyrës së tij, transmeton REL.
Izraeli është duke u përballur me kritika dhe thirrje për një armëpushim, sepse i ka vrarë mijëra palestinezë civilë dhe i ka zhvendosur gati 85 për qind të 2.3 milionë banorëve të Gazës brenda territorit të rrethuar, ku, sipas OKB-së, nuk ka mbetur me asnjë vend i sigurt për t’u strehuar.
.
.