Të dhënat nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve në Ministrinë e Industrisë tregojnë se në Kosovë gjatë këtij viti janë mbyllur 1,330 biznese.
Të dhënat tregojnë se gjatë vitit të kaluar ishin mbyllur 1,346 biznese.
Pandemia ka detyruar shumë ndërmarrës të mbyllin bizneset e tyre për shkak të mosmbulimit të shpenzimeve.
“Ka qenë shumë mirë. Iu kemi mundësuar turistëve që të udhëtojnë dhe të flenë me çmime të lira. Por, kur ka ndodhur pandemia, janë mbyllur kufijtë,” ka thënë për REL, Arben Jonuzi që është detyruar të mbyll hostelin e tij në Prishtinë.
Arbeni e dinte se kështu nuk mund të vazhdonte punën dhe, në korrik të vitit 2020, e mbylli bujtinën, ku kishte të punësuar katër persona.
Për t’i përballuar pasojat e pandemisë, Qeveria e Kosovës ka miratuar Pakon e ringjalljes ekonomike, në vlerë prej 420 milionë eurosh. Në kuadër të kësaj pakoje, bizneset janë ndihmuar kohë pas kohe.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë se numri i bizneseve të mbyllura gjatë periudhës së pandemisë 2020-2021 është shumë më i lartë, sesa shifrat zyrtare.
Lexo më shumë këtu