Serbia vazhdon të refuzoj që të dorëzoj te Kosova të dhënat nga arkivat që do të ndihmonin në gjetjen e personave të zhdukur gjatë luftës nga forcat serbe.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Kushtrim Gara, përfaqësues i Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit, kritikoi mungesën e gatishmërisë së palës serbe për të ofruar të dhëna nga arkivat, duke penguar përparimin e kërkimeve.
“Përkundër sfidave të mëdha, e që mbi të gjitha edhe gjatë këtij viti puna dhe angazhimi ynë është sfiduar me mungesën e informacioneve të besueshme , që ndërlidhet, si rezultat edhe i një politizimi të skajshëm të këtij procesi nga institucionet e Serbisë, me mungesën e gatishmërisë së palës serbe, për të vë në dispozicion të dhënat nga arkivat e tyre, si dhe duke prolonguar e pamundësuar vazhdimin e vlerësimeve apo fillimin e gërmimeve në lokacionet tanimë të shënjuara brenda territorit të Serbisë”, ka thënë Gara.
Megjithatë, ai vlerëson se përmes bashkëpunimit të pandërprerë me familjet e të zhdukurve, shoqatat familjare, mbështetjen institucionale dhe përkrahjen nga partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë, si dhe përkushtim të stafit e secilit zyrtar të institucioneve të angazhuar në këtë proces, janë bërë hapa domethënës drejt drejtësisë dhe të vërtetës, drejt respektimit të një të drejtë elementare të familjeve, siç është e drejta për të ditur.
Gara thekson se Komisioni ka bërë hapa të rëndësishëm për drejtësinë dhe të vërtetën përmes bashkëpunimit me familjet e të zhdukurve dhe partnerët ndërkombëtarë.
Në vitin 2024, janë realizuar mbi 33 operacione dhe aktivitete në terren, duke përfshirë 23 lokacione në Kosovë. Koordinimi i vazhdueshëm me Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe sektorin për personat e zhdukur, sipas tij ka mundësuar përparim në vlerësimet dhe kërkimet. (EO / indeksonline.net)