Shpalljen si person i padëshiruar të Sali Berishës nga Shtetet e Bashkuara, avokati shqiptar Spartak Ngjela e ka vlerësuar si sinjal të parë antikorrupsion që do të vazhdoj “deri në çlirimin e plotë të shqiptarëve”.
“Shqipëria po hyn tani me vrull historik në epokën vertetë të historisë së saj perëndimore dhe, njëherësh, edhe të zhvillimit të saj, deri më tani i penguar nga korrupsioni shtetëror antishqiptar”, ka shkruar Ngjela në Facebook.
Të mërkurën, Departamenti Amerikan i Shtetit e shpalli ish-presidentin dhe ish-kryeministrin shqiptar si të papranueshëm për t’u futur në SHBA.
“Veprimet korruptive të ish-presidentit të Shqipërisë Sali Berisha e kanë minuar demokracinë në Shqipëri. Publikisht, unë e përcaktoj Berishën dhe anëtarët e drejtpërdrejtë të familjes së tij si të papranueshëm për hyrje në Shtetet e Bashkuara. Ne mbetemi #TëBashkuarKundërKorrupsionit me partnerët tanë në Shqipëri”, ka shkruar në Twitter Sekretari amerikan Antony Blinken.
Në reagimin e tij, Berisha ka kërkuar publimin e fakteve kundër tij dhe familjes së tij.
“Duke shprehur keqardhje per vendimin dhe duke e konsideruar ate pa asnje baze konkrete, ju ftoj te beni publike çdo fakt e dokument qe administrata e juaj, apo kushdo ne bote, mund te disponoje per te argumentuar pretendimin tuaj per mua dhe familjaret e mi”, ka shkruar Berisha në Facebook.
Ndërsa, avokati Ngjela ka thënë se provat e korrupsionit do t’i ofrohen Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit Dhe Krimit Të Organizuar (SPAK).
“Po politika amerikane që ka marrë përsipër reformën antikorrupsion në Shqipëri, a do t’ia paraqesë provat e korrupsionit Berisha, Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatës së Posaçme? Sigurisht që do t’ia paraqesë SPAK- ut. Prisni dhe shikoni…”, ka shkruar Ngjela.
![](https://independentmedianetwork.net/wp-content/uploads/2021/05/ngjelapost.jpg)