Edhe kur është më së vështiri, sillu si njeri
Në Gjilan, si në gjithë Kosovën, me ose pa arsye shqiptarët janë frikësuar të dalin në rrugë. Arta atëherë i kishte vetëm 10 vjet dhe me prindërit e saj dilte në treg.
“Po, është një rast që më kujtohet kur kemi pas një biznes familjar dhe kemi pas ndihmë të ofruar nga serbët. Biznesi ynë familjar ka qenë shitje me pakicë të tekstilit dhe pa mundësi për me pas hapësirën tonë, kemi pas ndihmën prej tyre që na është ofruar hapësira e tyre që ne të vazhdojmë të zhvillojmë tregtinë. Ajo ka qenë një nga ndihmat e komunitetit serb. Nuk ka pas kurrfarë marrëveshje financiare, nuk ka pas kompensim me mjete financiare por vetëm ka qenë një dëshirë që të na ofrojnë ndihmë” – tregon Arta.
Në një situatë të tillë, sa i ka mbetur asaj në kujtesë, fqinjët e tyre serb ja kanë shpëtuar mallin nga i cili jetonin.
“Po, më kujtohet mua si fëmijë që kam qenë atëherë, kam pasur një rast, që po u tregoj, që më ka mbetur në mendjen time, ka qenë një rast kur në atë kohë ka pas kontrolle të gjendjes së vendit, si po zhvillohet tregtia dhe si është siguria. Më kujtohet një rast, ku unë si fëmijë kamë qenë shumë e frikësuar, por besoj se edhe prindërit e mi, kur është dashur me e lanë mallin. Në momentin kur është bërë kontrollimi, është dasht që ne të largohemi dhe të ndahemi nga malli dhe me shku të gjithë në shtëpi. Ky ka qenë një rast, kur ata kanë vazhduar që ta mbajnë mallin aty dhe pastaj në mbrëmje na e kanë pru mallin tek shtëpia. Ky është rasti që po më kujtohet si fëmijë për ndihmën që ata na e kanë ofruar” – tregon Arta.
Lufta i ka nda shumë familje dhe shumë miq.
“Mbas luftës ashtu siç më kanë treguar prindërit kanë vazhduar edhe pak që të bëjnë biznes, atë tregti të vogël, por është dashur ta ndërpresim dhe që nga atëherë më nuk kemi pas kontakt as me ata. Dhe sipas informatave që kam pasur, edhe ata e kanë ndërprerë biznesin dhe më nuk kemi pas ndonjë kontakt” – thotë Arta.
Kjo është një arsye pse më nuk jeni takuar me ta?
“Po kjo ka qenë arsyeja. Do të thotë, janë shkëputur nga biznesi, prej vendit dhe kështu ka mbetë” – përgjigjet Arta.
Ajo thotë se shpesh i kujton miqtë e saj të dikurshëm dhe dëshiron t`i takoj dhe t`i falënderoj jo vetëm se i kanë ndihmuar asaj por edhe sepse shumëçka ka mësuar nga ata, e sidomos se në çdo situatë njeriu duhet të mbetet njeri.
“Dhe atëherë si fëmijë jam ndje mirë por edhe tash e kam atë ndjenjën e asaj kohe, se ka qenë shumë mirë se i kanë ndihmuar prindërve të mi dhe se po të ishte ende ashtu edhe tash do të ishte e njëjta mënyrë, se qysh më kujtohet për ndihmën e ofruar në atë kohë për gjendjen se si kemi qenë atëherë besoj që me plot dëshirë e kisha edhe vet prapë” – thotë Arta.
Jeta është shumë e shkurtër këshillon kjo grua e re, prandaj gjithmonë silluni si njerëz, ndihmoni njëri tjetrit sa herë që mundeni dhe mos shikoni se çfarë feje apo komuniteti është.
Atë që e kemi bërë për të tjerët nuk harrohet
- Publikimi është realizuar në kuadër të projektit “Njerëz të mirë në kohë të së keqes” i zbatuar nga Qendra për Paqe dhe Tolerancë dhe mbështetur nga Ambasada Zvicerane në Prishtinë. Projekti kërkon të krijojë një diskurs publik pozitiv për procesin e pajtimit në Kosovë. Pikëpamjet e shprehura në përmbajtjen e publikuar nuk pasqyrojnë pikëpamjet e Qendrës për Paqe dhe Tolerancë dhe Ambasadës së Zvicrës.