Edhe kur është më së vështiri, sillu si njeri 

Komuna e Kamenicës me dekada është e njohur për tolerancën ndëretnike, megjithatë ngjarjet e luftës nuk e kanë tejkaluar as këtë vend.

Hiseni, që vjen nga një fshat i Kamenicës, i cili në atë kohë ishte i moshës rinore, tregon se si është detyruar ta lë vendlindjen e tij ku jetonte së bashku me serbët. Tregon se si fqinjët i kanë këshilluar që të mos shkoj me familjet e tij por nga frika nuk ka ndenjur aty.

Derisa ishin duke ikur, para tyre kanë dalë një grup të rinj, moshatar, dhe njëri nga ta iu ka drejtuar Hisenit për ta ndihmuar. 

“Më kujtohet një rast kur patëm dalë nga shtëpitë, i patëm lëshuar shtëpitë dhe nuk e  dinim ku po shkojmë. Dhe më kujtohet një rast kur një moshatar i imi pat dalë nga shtëpia e tij, na pa neve që jemi duke shkuar, mu afrua dhe më pyeti se a kemi nevojë për diçka, a ju nevojitet ndonjë send. Unë nuk dija, kisha pak frikë por ai më ofroi bukë, një sok, më ofroi një qebe sepse ishte pakëz si ftohtë dhe më kujtohet shumë mirë që na ndihmoi ai” – tregon Hiseni. 

Gjatë asaj kohe, derisa ishte luftë në të gjitha anët, nuk ishte lehtë që t’i ndihmohej njëri-tjetrit sepse shumëkush nuk e donte këtë, por njerëzit e rëndomtë edhe pse e dinin rrezikun, me shumë vullnet e ndihmonin njëri-tjetrin. 

“Po, mesiguri ata e kanë rrezikuar pikësëpari veten, shoqërinë aty, por ajo bamirësia e tij për të na ndihmuar më erdhi shumë mirë dhe mesiguri e kanë rrezikuar veten por ka qenë shumë njeri i mirë ai dhe na ndihmoi pa asnjë problem” – tregon Hiseni. 

Mirësia dhe njerëzimi mbahen mend, por Hisenit më së shumti i vjen keq që fqinjin e tij as edhe njëherë nuk e ka takuar që nga atëherë. 

“Jo, prej asaj kohe nuk kam pas kontakt, s`kam dëgju për te, nuk e di çka ka ndodh me te,  nuk kam informata se çka ka ndodh me atë person” – thotë Hiseni. 

Pse? 

“Nuk e di, jam kanë i interesuar që ta takoj, që t’i falënderohem për ndihmën, por kam dëgjuar se ka dal jashtë Kosovës, më s`kam pas kontakt me të” – përgjigjet Hiseni. 

Në Kamenicë edhe tash jetojnë së bashku shqiptarët dhe serbët, edhe pse shumë nga ata tashmë kanë shkuar por veprat e tyre të mira jetojnë dhe gjithmonë do të flitet për to.

Me këto tregime jepet një mesazh se në Kosovë ka vend për të gjithë dhe se mund të jetohet pranë njëri-tjetrit.

Atë që e kemi bërë për të tjerët nuk harrohet

Dëgjo rrëfimin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *