Kosova dhe Serbia nuk kanë arritur të pajtohen për një marrëveshje që do të shtensiononte situatën e krijuar për shkak të qështjes së targave.

Pas takimeve në Bruksel të hënën, Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, njoftoi se Presidenti serb Aleksandar Vuqiq ka pranuar propozimin e paraqitur, derisa njëjtë nuk ka vepruar Kryeministri kosovar Albin Kurti.

“Për hir të transparencës, ne parashtruam një propozim që mund ta shmangte këtë situatë të rrezikshme. Presidenti Vuçiq e pranoi, por për fat të keq kryeministri Kurti nuk e pranoi”, tha Borrell për gazetarët, transmeton REL.

Edhe pse nuk ka marrëveshje, ai tha se kërkon nga Kosova që menjëherë “t’i pezullojë fazat e mëtejshme” të planit për riregjistrimin e makinave në veri të Kosovës, ndërsa nga Serbia “të pezullojë lëshimin e targave” të reja, të tilla si KM, që në Kosovë konsiderohen të paligjshme.

“Unë u kërkoj të dyja palëve t’i zbatojnë këto dy kërkesa. Kjo do të ofrojë hapësirë dhe kohë për to që të kërkojnë zgjidhje të qëndrueshme për çështjen e targave”, tha Borrell.

Ai, po ashtu, tha se “do t’i informojë shtetet anëtare [të BE-së], partnerët, për sjelljen e palëve dhe mosrespektimin e detyrimit ligjor ndërkombëtar”.

“Kjo vlen veçanërisht për Kosovën”, tha Borrell.

Qeveria e Kosovës ka nisur më 1 nëntor zbatimin e planit të saj për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe në targa RKS – Republika e Kosovës.

Sipas planit të Qeverisë së Kosovës, shqiptimi i gjobave prej 150 eurosh për shoferë që vozisin makina me targa të paligjshme, parashihet të nisë më 22 nëntor.

Pas fazës së gjobave, sipas planit, do të nisë shpërndarja e targave provuese, ndërsa nga 21 prilli i vitit të ardhshëm, në komunikacion do të lejohen vetëm makina me targa RKS.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *