Përdorimi i kokainës në Kosovë ka shënuar rritje gjatë viteve të fundit, derisa është vërejtur edhe rritje e numrit të përdoruesve të llojit të drogës krek-kokainë.

“Nuk dinë të ngopen me të”, ka deklaruar për KOHA një përdorues i kësaj substance.

Rrinë me ditë pa gjumë, ndodh 4 -5 ditë vetëm duke ngrehur. Nëse i keni 5 gramë, nuk fle derisa t’i pish”, ka thënë ai.

Eksperti i varësisë në qendrën “Labyrinth”, Muharrem Ademi, thotë se numri i përdoruesve të drogave po rritet shpejt.

“Ka rritje tepër të shpejtë të përdoruesve të kokainës, gjithashtu trendët e rinj që kemi mundur t’i vërenim, sidomos dy vjetët e fundit, është rritja e numrit të përdoruesve të krekut apo ‘freebase cocaine’. Kreku është një drogë shumë varësi krijuese, domethënë është stimulant shumë i fuqishëm ku efektet dhe pasojat e saja janë mjaft të rrezikshme”, ka thënë Ademi.

Në Kosovë janë rreth 30.000 përdorues të drogës e 10.000 prej tyre konsiderohen problematikë ose të varur, që nënkupton se përdorin narkotikë më shumë se tri herë në javë, bazuar në të dhënat e qendrës për këshillim dhe trajtim të varësive nga droga “Labyrinth”.

Samire Gashi – Braina, shefe e Repartit të sëmundjeve të varësisë në Klinikën e Psikiatrisë, thotë se nga viti 2005 QKUK-ja ofron trajtimin e detoksifikimit, mënyrë për trajtimin e të varurve nga droga. Sipas saj, deri më tash kësaj procedure i janë nënshtruar 150 pacientë.

Policia në periudhën 2019 – 2022 ka arrestuar 306 persona për përdorim ose shpërndarje të kokainës. Sasia më e madhe e konfiskuar ndodhi më 2021, kur në një aksion u kapën rreth 400 kg kokainë në Lipjan, transmeton KOHA.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *