Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) deklaroi të hënën se “trysnia ndaj votuesve, angazhimi vendimtar i Presidentit, si dhe përparësitë e partisë në pushtet kanë minuar procesin zgjedhor në tërësi” të zhvilluar të dielën në Serbi.

Sipas OSBE-së, këta faktorë krahas njëanshmërisë së mediave “krijuan një fushë të pabarabartë për garë”, transmeton VOA.

Partia populiste e Presidentit serb Aleksandar Vuçiç fitoi zgjedhjet e përgjithshme dhe ato lokale të mbajtura të dielën në Serbi, sipas rezultateve paraprake të komisionit zgjedhor.

Partia Progresive Serbe ka fituar 47 për qind të votave në zgjedhjet parlamentare, ndërkohë që koalicioni opozitar Serbia Kundër Dhunës fitoi 23 për qind.

Ndërkohë udhëheqësi i koalicionit opozitar Miroslav Aleksiq tha se rezultati i zgjedhjeve nuk mund të pranohet për shkak të një procesi të manipuluar zgjedhor.

“Ishim dëshmitarë të një abuzimi të paparë të votës sot. Ajo që ndodhi gjatë fushatës dhe më herët – trysnia ndaj votuesve, blerja e votave dhe parregullsi që përdori kjo qeveri – u bënë edhe sot në shkallë edhe më të gjerë, sidomos në qytetin e Beogradit. I sollën njerëzit me autobusë, makina, njerëz që nuk jetojnë në Beograd, shumë prej të cilëve erdhën për herë të parë në Beograd, për të votuar si qytetarë të Beogradit. I mblodhën te salla e sporteve. Kemi prova për ta dëshmuar këtë. Thënë troç: ajo që ndodhi sot nëpër Serbi është diçka që thjeshtë, nuk mund të pranohet si rezultat i zgjedhjeve të lira demokratike,” deklaroi zoti Aleksiq.

“Kanë vjedhur më shumë tani se në të kaluarën. Pa mëshirë. Të gjithë e prisnin dhe të gjithë e dinin. Askush nuk njeh ndonjë që voton për Partinë Progresive, por në fund del se ata janë shumica. E meritojmë këtë situatë,” tha një banor i Beogradit që u identifikua vetëm me emrin Dragan.

Lexo më shumë këtu

.

.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *