Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit në New York ku po mbahet sesioni i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, është takuar të martën me përfaqësuesin e të Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Zyra e Presidencës ka njoftuar se në këtë takim ndër tjera është diskutuar edhe për masat e BE-së të vendosura ndaj Kosovës, për të cilat Osmani ka thënë se nuk i kontribuojnë avancimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

“Presidentja Osmani shtroi nevojën e përshpejtimit të procesit dhe marrjen e vendimeve të nevojshme nga ana BE-së për integrimin e Kosovës, duke i dhënë statusin e vendit kandidat, si dhe anëtarësimin e shteteve të rajonit bazuar në përmbushjen e kritereve. Ajo po ashtu ka theksuar se masat e BE-së ndaj Kosovës përveç që nuk i kontribuojnë avancimit të dialogut, ato, nëpërmjet pezullimit të projekteve të BE-së, më së shumti prekin interesat dhe mirëqenien e qytetarëve”, thuhet në njoftimin e Presidencës, transmeton KOHA.

Më tutje Osmani citohet të ketë thënë se Kosova është palë konstruktive dhe e përkushtuar për paqe e stabilitet, e bashkërenduar tërësisht me politikat e BE-së edhe sa i përket sanksioneve dhe me procese reformuese të rëndësishme.

“BE duhet t’i shpërblejë shtetet të cilat janë të bashkërenduara me BE dhe në të njëjtën kohë kanë ndërmarrë reforma, sidomos në sundimin e ligjit, ekonomi dhe standarde evropiane”, ka theksuar Osmani.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *