Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mirëpritur të enjten Presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.
Sipas njoftimit të Presidencës, në këtë takim Osmani ka deklaruar se për të dy vendet “procesi i integrimit evropian është prioritet që na bashkon”.
Osmani ka thënë se përfshirja e Kosovës në Partneritetin për Paqe, e më pas në NATO, është garanci për stabilitet në rajon, transmeton REL.
Partneriteti për Paqe është një program i NATO-s, që synon krijimin e besimit midis shteteve anëtare të NATO-s dhe shteteve të tjera në Evropë.
Osmani ka thënë, gjithashtu, se Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë vizion të përbashkët për një Ballkan Perëndimor stabil dhe të integruar në BE.
Sipas Osmanit, shqiptarët në Maqedoni të Veriut janë urë lidhëse ndërmjet të dy shteteve dhe “shtyllë e stabilitetit”.
.
.