Serbia ka qëllim të destabilizoj Kosovën dhe rajonin, ka deklaruar Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas vendimit të së shtunës nga Lista Serbe që të largohet nga të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës.
Përfaqësuesit serbë në Kosovë vendosën të mos jenë më pjesë e institucioneve në Kosovë. Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, tha se dorëheqjet përfshijnë pozitat në Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës, dhe ato të gjyqësorit e Policisë së Kosovës në veri.
“Veprimi i sotëm i Serbisë, paraqet tërheqje të saj të njëanshme nga marrëveshjet e Brukselit për shuarjen e strukturave ilegale të saj në Kosovë”, thuhet në reagimin e Presidentes Osmani përmes një njoftimi për shtyp.
“Ky veprim i nxitur nga Serbia, vërteton edhe njëherë atë që e kemi thënë shumë herë, se Serbia është burim i destabilizimit të Kosovës dhe rajonit për shkak të synimeve të saj territoriale dhe hegjemoniste”, ka deklaruar Osmani, transmeton VOA.