Nga Ben Andoni
www.gazetashqiptare.al
Po davariten pak nga pak të gjithë situatat dhe në muajt e ardhshëm Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut ka gjasë t’u hapen negociatat me Bashkimin Evropian. Përafrimi i qëndrimit të presidentit Macron me metodologjinë e re të Unionit, prezantuar nga Komisioneri i ri i Zgjerimit, duket se i ka dhënë më shumë mundësi Francës të jetë prezente në Ballkan, por edhe të jetë shumë më tepër kërcënuese sa i përket përqasjes së qëndrimeve dhe kushteve të saj, që duket se do t’i ketë në funksion të interesave politike, më shumë sesa parimeve të shumëpërfolura të zgjerimit.
Megjithëse Maqedonia e Veriut e nisi më shpejt udhën evropiane, sëbashku me Shqipërinë, qysh në vitin 2003, iu dhanë shumë premtime. Me këtë shpjegohej dhe euforia e politikës së asaj kohe, që e shikonte procesin shumë të afërt. Por, ndërkohë, ia behu kriza botërore ekonomike, keqkuptimet e partnerëve evropianë me njëri-tjetrin u shtuan, kurse në vendet tona respektive politika filloi ta sfidojë hapur shtetin ligjor e paprekur nga vërejtjet e munguara të ndërkombëtarëve. Edhe atëherë, njësoj si tani, socialistët drejtonin vendin, pas viteve trazira të paimagjinueshme të Shqipërisë.
Përplasjet në Maqedoni kishin gjenezë tjetër dhe vazhdonin pasojat e luftës civile, kurse në Shqipëri nuk ishin harruar ende krismat e palëve dhe zallamahia.
Fqinjët tanë të lindjes u mobilizuan shumë t’i jepnin drejtimin e duhur problemit të emrit me Greqinë, një histori që mori vite pa fund dhe që u kurorëzua me përshtatjen e emrit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe me miratimin më gjysmë zëri të palës greke. Paçka procesit të gjatë të negocimit me emrin, që nuk pati miratime fundore nga asnjë nga palët, politikanët maqedonë e gjetën momentin, që falë konjukturave të përshtateshin. Dhe, inkurajuan ekonominë e tyre, por edhe imazhin e vendit, që gjithsesi do të rrëzohej pak kohë më pas me shpërthimin e parlamentit. Këtej kufirit, shqiptarët e shpërqendronin të gjithë problematikën ekonomike me situatat e Brukselit. Dhe, po njësoj e me një ndryshim relativ, në ditët tona, narracioni për Evropën vazhdon e drejton të gjithë diskursin politik dhe konfliktin, në jo pak raste.
…
Sot, ka një debat të ri dhe ky lidhet më shumë me shoqërinë civile, pasi metodologjia me gjithë vlerat e mëtuara dhe justifikimet e bën disi më të komplikuar, apo më thjeshtë fare: duke e bërë gjendjen e të gjithë gadishullit tejet të stresuar. Dështimi fatal i tetorit për të dy vendet tona tashmë nuk bën dot as optimistin më të çartur të flasë qartë për verdiktin e Brukselit për Ballkanin, pavarësisht se Hapja e Negociatave është një hap që nuk ndryshon aspak nga gjendja aktuale.
Kroacia që ka presidencën, me gjithë qëllimin e mirë që paraqet, nuk mund të duket shumë e besueshme kur mendon problemet e saj me Slloveninë, Bonjën dhe Serbinë. Ndaj, kjo tërheqje vëmendje më shumë i shkon politikanëve tanë. Tashmë është e qartë se çfarë honesh po i përballen Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Kjo e fundit me acarimet politike, që duan ta kthejnë prej fillimi diskursin me emrin, përpos shumë gjërave të tjera të cilat që mezi janë pranuar. Kurse, Shqipëria po humbet institucionet e saj të pavarura nga presioni i madh politik dhe asistenca e dobët e Brukselit, që në fakt konfuzionin e ka shpalosur si moto në Shqipëri dhe MV. Nga ajo që kupton është se njerëzit e Brukselit në axhendat e tyre të fundit se kanë më aq me shumë seriozitet integrimin dhe zgjerimin e Ballkanit. Paradoksalisht, zgjerimin e inkurajojnë personazhe të tipit Orban dhe madje e bërtasin, ndryshe nga zyrtarët e tjerë të Brukselit që janë në çdo moment të dyzuar. Vetëm se këtë dyzim shpesh e më shpesh po e përcjellin në Ballkan të tretët, ku ndikimi turk është frikshmërisht agresiv dhe cinik, pa mbetur pas ai kinez dhe rus. Ndryshe nga M.V., Shqipëria dhe Kosova, por jo më pak Bosnja, janë më të ekspozuar edhe për shkak të përbërjes demografike dhe lidhjeve shekullore me të.
Nga gjithë ky kaos, nga një metodologji evropiane zgjerimi, që tashmë të kontrollon dhe të kthen pas ose të penalizon, duket se po përfitojnë këta të ashtuquajtur të tretët, duke shfrytëzuar dhe fatin. Shqipëria i detyrohet jo pak Turqisë pas tërmetit shkatërrimtar dhe me hapat që ka ndërmarrë e ka treguar qartë se do të lëshojë pe tek ekstradimet e ashtuquajtur kundërshtarë të presidentit Erdogan, duke e vendosur vendin në një pozitë të vështirë me aleatët dhe angazhimet e saj.
Dhe, sikur të mos mjaftojë kjo tashmë nuk fshihet më dhe shikimi i këtij rajoni, shpesh e më shpesh si vend i qytetarëve të dorës së dytë që dinë të sjellin vetëm telashe. Kjo i ka dhënë krah populistëve dhe aventurierëve politikë, që me akrobacitë e tyre të kërkojnë pushtet por edhe të prishin mjediset demokratike.
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë shembulli më i mirë sesi kaosi i Brukselit dhe interesat politike po sjellin logjikë tjetër në narracion, e cila prek hapur të drejtat e njeriut e që na shitet si respekt për ligjin dhe shtetin e të drejtës. Brukseli, vërtetë, mund t’ia hapë udhën në javët në vazhdim negociatave për dy vendeve tona, por ka humbur realisht shpresën e të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kosova po mbahet zvarrë për liberalizimin e vizave me kushte të plotësuara kah herët. Njerëzit, tashmë, nuk ikin vetëm prej Ramës, Zaev etj., por edhe Brukselit, që me kushtet e reja në metodologjinë e zgjerimit, nuk i plotësojnë gati 1/3 e vendeve që janë anëtare. Duket se drejtimi i BE-së me këtë liderë, që sajojnë kudo probleme, po shpërbën dhe vetë ëndrrën evropiane. (Homo Albanicus)