Ndërprerja e aktiviteteve në sektorin privat dhe atë publik, gjatë muajve të përhapjes së pandemisë Covid-19, ka bërë që buxheti i Kosovës të goditet me miliona euro më pak të hyra në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Raporti “Ndikimi i pandemisë COVID-19 në buxhetin e Kosovës” nga Instituti GAP, ka treguar se “në periudhën mars-maj 2020, kur ishin ndalur shumica e aktiviteteve në sektorin privat dhe atë publik në Kosovë për shkak të pandemisë COVID-19, të hyrat buxhetore ishin për 133 milionë euro (28.2%) më të ulëta së në periudhën e njëjtë të vitit parapak, ndërsa shpenzimet për 4.7 milionë euro (1%) më të ulëta”.
Qëllimi i këtij raporti është që të paraqes ndikimin e krizës në të hyrat, shpenzimet dhe deficitin fiskal të vitit 2020, si dhe mundësitë dhe rreziqet që përmes shpenzimeve publike të bëhet rimëkëmbja ekonomike dhe sociale e shkaktuar nga kjo pandemi, thuhet në njoftimin me rastin e publikimit të raportit.
Raporti gjithashtu paralajmëron se mund të ketë vazhdimësi në rënien ekonomike në rast se marrëveshjet kreditore nuk arrijnë të miratohen në Kuvendin e Kosovës.
“Megjithëse e nevojshme, rritja e subvencioneve si një nga kategoritë më pak të rregulluara ligjërisht, krijon rreziqe për abuzim të parasë publike”, thuhet ndër të tjera në raport, të cilin mund ta lexoni të plotë këtu.