Edicioni i sivjetëm i festivalit “Mirëdita, dobar dan” u ndërpre për rreth një orë pas një alarmi për bombë, që më pas doli të jetë i rremë.
Informacioni rreth bombës së dyshuar erdhi në e-mailin e Nismës Rinore për të Drejtat e Njeriut (YIHR), një prej organizatave që organizon festivalin, menjëherë pas nisjes së aktivitetit rreth orës 18:00.
Policia përcaktoi se informacioni për bombë në Qendrën për Dezinfektimin Kulturor (CZKD) në qendër të Beogradit ishte i rremë, transmeton REL.
Pas kësaj, programi i festivalit rinisi në oborrin e CZKD.
Një ditë para ceremonisë zyrtare të hapjes së festivalit, më 25 maj, në Beograd u hap ekspozita me fotografi “Të gjithë lotët tanë” kushtuar viktimave të luftërave në ish-Jugosllavi, e cila është gjithashtu pjesë e programit të festivalit.
Çmimet e këtij edicioni të festivalit iu dhanë ditën e enjte Marinko Gjuriqit dhe Lush Krasniqit, përfaqësues të familjeve të viktimave të luftës në Kosovë.