Presidenti francez Emmanuel Macron është takuar në Moskë me homologun e tij rus Vladimir Putin, takim ky që u zhvillua në kohën kur gjendja në kufirin rus dhe ukrainas mbetet e tensionuar.
Pas takimit, Macron tha se shpreson që të “shmanget lufta” mes Rusisë dhe Ukrainës.
“Këto diskutime mund të shënojnë fillimin e një drejtimi në të cilin ne duhet të shkojmë, që është drejt shtensionimit”, deklaroi Macron, transmeton REL.
Ndërsa, Presidenti Putin tha se ky takim po zhvillohet në në 30-vjetorin e nënshkrimit të marrëveshjes për miqësi.
“E kuptoj se ne ndajmë shqetësime lidhur me atë se çfarë po ndodh në Evropë, në sferën e sigurisë”, i tha Putin Macronit, duke shtuar se ai i vlerëson përpjekjet e presidentit francez për të ndihmuar që të ketë “një siguri të barabartë në Evropë” dhe për përpjekjet e tij që të ndihmojë në zgjidhjen e krizës ukrainase.
Shtetet e Bashkuara dhe shtetet perëndimore kanë shprehur shqetësimet se Rusia mund të filloj pushtimin e Ukrainës derisa në kufirin mes dy vendeve ka mbledhur mijëra trupa ushtarake.