Rusia po ndërhyn në vendet e Ballkanit Perëndimor duke shfrytëzuar ndikimin e saj ndaj Serbisë, thuhet në një raport të Parlamentit Evropian.
Në raportin e Komitetit të Posaçëm për Ndërhyrjet e Huaja thuhet se ndërhyrja ruse ushtrohet “në Bosnje nëpërmjet Republikës Serbe, në Mal të Zi duke shfrytëzuar ndjenjat pro serbe si dhe Kishën Ortodokse serbe dhe në Kosovë duke shfrytëzuar dhe nxitur mosmarrëveshjet ekzistuese në veriun e Kosovës”.
Rusia, thuhet më tej, ka ende ndikim të dukshëm në Ballkanin Perëndimor, me fuqinë për të ndërhyrë në përpjekjet rajonale për pajtim, integrim dhe reforma drejt demokratizimit, transmeton VOA.
Në raportin që u mbështet nga 27 përfaqësues në Komisionin për Ndërhyrjet e Huaja, ndërsa pati një votë kundër dhe një abstenim, thuhet mes tjerash se përpjekjet ruse për të ushtruar ndikim mbi Ballkanin Perëndimor, duhet parë si pjesë e një strategjie më të gjerë për të promovuar autoritarizmin në Evropë.
Në raport thuhet se mesazhi pro-rus përhapet përmes mediave në pronësi serbe dhe hungareze në Ballkanin Perëndimor, ndërsa shprehet shqetësimi me “gjetjet e fundit se Serbia është vendi më i cenueshëm ndaj ndikimit të huaj negativ në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht nga Rusia dhe Kina, dhe se Serbia ende nuk ka zbatuar sanksionet kundër Rusisë dhe nuk është harmonizuar me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian”.