Dy herë kampionja e botës në xhudo, kosovarja Majlinda Kelmendi është pensionuar nga sporti aktiv.
Përmes një ceremonie shtetërore të organizuar të hënën, Kelmendi u nderua nga Presidentja Vjosa Osmani me urdhrin “Shotë Galica” për vepra trimërie dhe guximi.
“Ajo me të drejtë cilësohet si legjendë e sportit të xhudos, heroinë e Kosovës. Në tre dekadat e jetës së saj u bë fytyra e Kosovës së sotme,” ka thënë presidentja Osmani.
Duke mos i përmbajtur lotët, Kelmendi tha se për gjithë suksesin e saj falënderimi më i madh i takon Kosovës.
“Kam punuar shumë që mos të zhgënjej Kosovën e ta bëjë vendin krenar”, tha Kelmendi duke i falënderuar të gjithë për përkrahje përgjatë rrugëtimit të saj, transmeton REL.
Kelmendi u bë dy herë kampione e botës dhe katër herë kampione e Evropës. Përgjatë karrierës, Kelmendi po ashtu fitoi katër herë titullin më garën e famshme të Grand Slamit të Parisit. Ishte xhudistja e shpallur më e mira në botë në vitin 2017.
Suksesi i saj më i madh ndodhi në Lojërat Olimpike “Rio 2016” kur fitoi medaljen e artë të parë Olimpike por edhe të parën për Kosovën.