Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, ka fituar në raundin e dytë të zgjedhjeve të mbajtur të dielën.
Pas numrimit të votave, në uebfaqen e KQZ-së rezultatet tregojnë se Rama ka fituar 51.07 për qind të votave, derisa kundërkandidati i tij nga Lëvizja Vetëvendosje, Arben Vitia, ka fituar 48.93 për qind të votave.
Në një konferencë për media të dielën, Rama tha se do të jetë kryetar i të gjithë qytetarëve të Prishtinës.
“Unë, Përparim Rama, kryetar i Komunës së Prishtinës, zotohem që do të jem kryetar i të gjithëve, ju që jetoni këtu, punoni këtu, që vini e që do të ktheheni”, tha ai.
Rama tha se do të zbatojë të gjitha premtimet e dhëna në fushatën për zgjedhjet lokale.
Ndërkohë, Vitia i ka uruar fitoren Ramës duke theksuar arsyet pse, sipas tij, nuk ka fituar.
“Prishtinës i dëshiroj sukses. Inkuadrimi jonë i vonshëm në fushatë dhe moselaborimi i programit mjaftueshëm ka ndikuar,” është shprehur Vitia.